Iniciative “Jetë për Tetovën”: Një fitues, shumë miq dhe një diskutim që vazhdon

[ 0 ] 16/05/2011 |

Një grup i vogël njerëzish, kryesisht studentë nga Shqipëria, morën iniciativën për të reklamuar një iniciativë të quajtur “Jetë për Tetovën” vetëm gati 1 muaj e gjysëm përpara. Synimi i kësaj iniciative ishte që të miqësohemi me një grup studentësh nga Tetova, të mund të fillojmë një miqësi së bashku dhe të kemi një kontekst ku mund të flasim për jetën, familjen, besimin, kulturë. Kuptohet, e gjitha kjo ndërmarrje u bë nga një grup jo-profesionistësh në ndërtimin e web-faqeve e as specialistëve të temave të ndryshme. Synimi ishte i thjeshtë e modest: miqësi që ndërtohen nga diskutime rreth çështjeve të jetës studentore, shqiptare e përtej.

Çfarë ka dalë positive nga kjo punë?

Po listojmë disa më poshtë – ju mund të listoni vetë disa në komente:

  1. Një grup miqsh, studentë nga të dyja anët e shqiptarisë, që kanë pasur mundësi të pijnë një kafe së bashku në Tetovë në fillim të Prillit e pas kësaj largësia nuk i ka ndaluar të flasin ditë për ditë në grupin J(T)etova në Facebook. Që të jem më i saktë, megjithëse autori i këtyre rradhëve nuk ka qënë me grupin në Tetovë, ndihem sikur e njoh Besirin, Amirën, Suel-in, Mentorin, Lindën – e të tjerët që s’po i përmend. A nuk ia vlen të kesh miqësi me njerëz që s’i ke takuar kurrë por mund të flasësh me to për tema të ndryshme?
  2. Jemi njohur më mirë me hallet e njëri-tjetrit, këndej e andej kufirit. I bën mirë njeriut të dalë përtej strofkullës së vet e të shikojë se ç’bëhet me njerëz që jetojnë në vend tjetër e me situatë tjetër.
  3. Disa prej temave që kemi prekur ndonjëherë janë delicate – e ndoshta nuk ke ku ti diskutosh tjetër. A do të hapje biseda të vështira me miqtë e tu që i ke afër për familjen, për kontraditat që ke me to, për besimin, për vështirësitë? Ndoshta ambienti virtual na ndihmon të flasim pak më hapur – me respekt por më hapur…

Siç shkruajta,  ju mund të shtoni listës arsye të tjera, se për çka ju ka vlejtur www.jetova.org dhe grupi në Facebook.

Dy ide të tjera përpara se ta mbyllim për sot. Përpara se të lexoni emrin e fituesit, duhet të dini se dëshira jonë është që diskutimi të vazhdojë. Ne do të shtojmë herë pas herë artikuj që ngacmojnë mendime në një nga fushat që kemi përmendur, do ta zgjerojmë fushën e diskutimit edhe në treva të tjera mbarë-shqiptare, edhe do të jemi më të qëllimshëm me temat. Duam të ndihmojmë njëri-tjetrin të jemi më të informuar rreth çështjeve të familjes, të kulturës, të besimit, dhe të historisë. Kuptohet që herë pas here do të hedhim një këndvështrim që ndoshta nuk ju përlqen – por ju ftojmë të jeni pjesë e diskutimit edhe të kontribuoni me sa keni mundësi, gjithmonë duke sjellë argumenta të mira e jo thjesht opinione pa vlerë.

Jetova është e hapur!

Sa për çmimin, me siguri do të kemi një mendim të përbashkët, që fituesi është i dallueshëm. Mjafton të hidhni një sy tek forumi i jetova.org, tek grupi J(T)etova në Facebook dhe do ta dalloni emrin e Besir Ramadanit që dallohet kudo…

Besir, urime për iPod-in që ke fituar edhe shpresoj që do ta përdorësh për të na komentuar të paktën po aq sa ç’komenton tani. Do të të kontaktojmë për të të dorëzuar çmimin në dorë – e do të dërgosh një fotografi tënden me iPod-in që të të shikojnë të gjithë…

Ndërkohë, edhe njëherë, JETOVA vazhdon…

Tags: , , ,

Category: Blog

About the Author ()

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.